Mungesa e Kohës apo Mungesa e Prioriteteve? Si të Çosh Biznesin në Nivelin Tjetër?
Një nga gabimet më të mëdha që bëjnë shumë profesionistë dhe sipërmarrës është kjo frazë:
“Nuk kam kohë ta çoj biznesin në nivelin tjetër“.
Në pamje të parë, tingëllon si një justifikim i zakonshëm. Por në realitet, ky është një mentalitet që po të kushton mijëra euro në vit – ndoshta edhe më shumë.
Nuk ke mungesë kohe – ke mungesë Prioriteti
Kur flasim për rritjen e biznesit tënd, nuk bëhet fjalë vetëm për një kompani apo markë. Bëhet fjalë për të ardhmen tënde si profesionist, për vlerën që krijon dhe impaktin që mund të japësh në treg.
Por ti, si shumë të tjerë, je i zënë gjithë kohës me detyra operative, takime dhe urgjenca që nuk marrin fund. Je i përqendruar te “çfarë do bëj sot” dhe “çfarë do bëj nesër”, duke reaguar ndaj zjarreve që shpërthejnë çdo ditë. Pa e kuptuar, je kthyer në zjarrfikësin e biznesit tënd – gjithmonë duke shuar zjarre, pa pasur kohë të mendosh strategjikisht.
Roli i zjarrfikësit në biznes
Kur je gjithmonë në “zonën e zjarrit”, nuk ke mundësi ta shohësh biznesin nga një këndvështrim më i gjerë, nga lart, ku mund të marrësh vendime strategjike për rritje dhe zhvillim. Përqendrohesh vetëm te krizat dhe problemet e vogla, ndërkohë që mundësitë e mëdha kalojnë pa u vënë re. Ky rol quhet “zjarrfikës i biznesit”. Ti je duke shuar zjarre, pa u fokusuar në atë që do të bëjë biznesin tënd të rritet realisht.
Koha është e barabartë me Prioritetin
Nëse nuk gjen kohë për të çuar biznesin në nivelin tjetër, mos e quaj mungesë kohe, por mungesë prioriteti. Koha dhe prioriteti janë dy anë të së njëjtës medalje. Nëse rritja e biznesit do të ishte prioriteti yt më i madh, gjithmonë do gjeje kohë për të punuar në të.
Mendo për jetën personale: nëse një anëtar i familjes do të ishte në rrezik, do gjeje kohë menjëherë për ta ndihmuar. Po ashtu, nëse një klient i rëndësishëm të kërkon ndihmë urgjente, koha do të gjendej patjetër. E njëjta gjë duhet të ndodhë me biznesin tënd. Nëse nuk gjen kohë për ta zhvilluar, do të thotë se nuk e ke prioritet.
Sfida për ty: Rishiko prioritetet
Cilat janë gjërat më të rëndësishme në jetën dhe biznesin tënd? Nëse rritja e biznesit nuk është një prej tyre, rezultatet do të jenë gjithmonë të njëjta.
Por nëse vendos ta bësh prioritet, do nisësh të krijosh kohë, do bësh plane konkrete dhe do arrish atë “next level” që kërkon.